Një i ri britanik ka rrëfyer momentet dramatike kur një shpërthim në vendin e punës e ktheu në një “top zjarri”, duke i shkaktuar djegie të rënda në fytyrë dhe trup. Dwayne Bell ishte vetëm 17 vjeç kur ndodhi aksidenti në një fabrikë çeliku në Wigan, ku punonte si saldator praktikant.
Sipas mediave britanike, i riu po digjte mbeturina në një fuçi metalike kur hodhi hollues boje për të ndezur drutë e lagura, pa kuptuar se poshtë tyre kishte ende shkëndija aktive. Pak sekonda më vonë ndodhi një shpërthim i fuqishëm dhe flakët e përfshinë tërësisht.
I riu tregoi se mbylli menjëherë sytë nga frika se mos verbohej, ndërsa e përshkroi momentin si “një bombë që shpërtheu në fytyrën time”. Dwayne pësoi djegie të shkallës së tretë në fytyrë, duar dhe këmbë. Flakët i shkrinë pjesë të hundës dhe veshëve, ndërsa kolegët i fikën rrobat që kishin marrë flakë.
Ai u transportua me urgjencë në spital dhe u vendos në koma të induktuar për një javë. 22-vjeçari, që sot vazhdon ende trajtimet, tha se kur u zgjua nga koma iu lut infermierëve ta linin të vdiste për shkak të dhimbjeve të padurueshme. Pas tre transplanteve të lëkurës dhe një rehabilitimi të gjatë, ai është rikthyer sërish në punë dhe tashmë përdor historinë e tij për të paralajmëruar të rinjtë mbi rreziqet në vendin e punës.




