Aktori legjendar italian Michele Placido ka rrëfyer detaje intime nga jeta e tij personale në një intervistë për Corriere della Sera, ku foli për dashurinë me Federica Vincenti, diferencën e madhe në moshë dhe arsyen pse marrëdhënia e tyre mori fund. Placido dhe Federica u njohën në fillim të viteve 2000, kur ai ishte 55 vjeç dhe ajo vetëm 19. Diferenca prej 36 vitesh në moshë u komentua gjatë në mediat italiane, por pavarësisht kritikave, lidhja e tyre vazhdoi për shumë vite.
Në vitin 2012, çifti kurorëzoi dashurinë me një ceremoni private në Romë. Përveç lidhjes sentimentale, Federica u bë edhe bashkëpunëtore e rëndësishme në karrierën artistike të aktorit, duke punuar si producente në disa projekte të tij. Nga marrëdhënia e tyre lindi djali Gabriele, por çifti kaloi edhe një nga momentet më të vështira të jetës. Federica humbi vajzën që priste në muajin e shtatë të shtatzënisë, pasi mjekët zbuluan probleme shumë të rënda shëndetësore te foshnja.
Placido tregoi se pas asaj tragjedie diçka ndryshoi mes tyre. “Dashuria mbaroi për shkak të moshës. Ndoshta ajo mendoi se isha shumë i vjetër”, u shpreh aktori 80-vjeçar. Megjithatë, edhe pse sot jetojnë të ndarë, ai pranon se lidhja me Federicën nuk është shkëputur kurrë plotësisht.
“Ajo ishte gruaja e jetës sime”, tha Placido, duke zbuluar edhe detajin romantik që ka prekur rrjetin: “Edhe sot, çdo ditë i dërgoj lule”. Në të njëjtën intervistë, aktori foli edhe për fëmijërinë e tij, karrierën dhe bindjet politike, madje zbuloi se në moshën 10-vjeçare kishte shkëmbyer puthje me një murgeshë në kolegjin fetar ku studionte.



