Një nga historitë më të errëta dhe misterioze të luftës amerikane kundër terrorizmit është zbuluar nga një investigim i gjatë i revistës Rolling Stone, që hedh dritë mbi jetën dhe fundin tragjik të një agjenti të fshehtë të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikan (CIA), i infiltruar për vite me radhë në radhët e islamikëve radikalë dhe deri te vetë Al Qaeda.

Agjenti, i njohur me pseudonimin “Anthony Lagunas”, jetoi për vite të tëra në Lindjen e Mesme nën identitet të rremë, duke u paraqitur si një mysliman radikal i konvertuar. Sipas ish-zyrtarëve të CIA-s, ai arriti të depërtonte në qarqe ekstremiste dhe të siguronte informacione që raportonin drejtpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë dhe te drejtuesit më të lartë amerikanë.

Në kulmin e misionit të tij, Lagunas u takua fshehurazi edhe me ish-presidentin George W. Bush, ndërsa drejtori i atëhershëm i CIA-s, Michael Hayden, e konsideronte një nga asetet më të rëndësishme të agjencisë.

Por pas suksesit të jashtëzakonshëm fshihej një kosto e rëndë psikologjike. Sipas dëshmive të ish-kolegëve, vitet e kaluara duke jetuar si dikush tjetër e shkatërruan gradualisht identitetin e tij real. Ai jetonte në medrese, studionte Kuranin, fliste arabisht dhe përpiqej të fitonte besimin e ekstremistëve, ndërsa rreziku për t’u zbuluar nënkuptonte ekzekutim të menjëhershëm.

Ish-zyrtarët e CIA-s tregojnë se me kalimin e kohës ai nisi të humbiste lidhjen me realitetin, duke shfaqur probleme të rënda emocionale dhe psikologjike. Agjencia e tërhoqi nga terreni dhe e transferoi në SHBA, por dëmet dukeshin tashmë të pakthyeshme.

Në vitin 2016, Lagunas u gjet i vdekur në një hotel në Kuala Lumpur të Malajzisë. Rrethanat e vdekjes mbeten të paqarta edhe sot. Disa ish-agjentë flasin për depresion të thellë, abuzim me alkoolin apo drogën dhe stres post-traumatik, ndërsa të tjerë e konsiderojnë atë një viktimë të vetë sistemit që e përdori në luftën sekrete kundër terrorizmit. “CIA e dërgoi në një mision pothuajse të pamundur dhe nuk ishte e përgatitur për pasojat psikologjike që ai do të mbante mbi supe”, tha një ish-zyrtar i agjencisë për Rolling Stone.