Aktorja legjendare italiane Sophia Loren nuk i kushtoi kurrë rëndësi kritikave për pamjen e saj, madje as kur ato vinin nga bashkëshorti i saj i ardhshëm, producenti i njohur i filmit Carlo Ponti. Në një intervistë të vitit 1979, ylli i kinemasë kujtoi se në fillimet e karrierës së saj shumë njerëz i sugjeronin të bënte një operacion plastik në hundë, me arsyetimin se kjo do t’i rriste shanset për sukses në botën e filmit.
Loren tregoi se, kur Ponti i tha se ndoshta duhej ta zvogëlonte pak hundën, përgjigjja e saj ishte e prerë. “Kur bashkëshorti im më tha se ndoshta duhet ta shkurtoja pak hundën, unë i thashë: ‘Nuk mendoj kështu. Dua ta mbaj hundën time, sepse më pëlqen ashtu siç dukem. Mendoj se ti duhet të ndryshosh operatorin e kamerës. Nëse e ndryshon atë, ndoshta do të kem më shumë mundësi në filma. Përndryshe, ose do të më duhej të ndryshoja krejtësisht veten, ose nuk do të isha fare pjesë e filmave, sepse më pëlqen pamja ime. Nuk kam asnjë kompleks për hundën time'”, kujtoi aktorja.
Më pas ajo e përmbylli rrëfimin me një fjali që mbeti ikonike: “Dhe nuk e bëra. Ja ku jam sot, ende me hundën time”. Të njëjtin qëndrim Sophia Loren e përsëriti edhe në një intervistë për The Hollywood Reporter në vitin 2014, kur u pyet për komentet që kishte marrë ndër vite për pamjen e saj. “Gjithmonë jam përpjekur të mos i dëgjoj njerëzit. Më thoshin se e kisha hundën shumë të gjatë dhe gojën shumë të madhe. Por kjo nuk më prekte aspak. Kur besoj në diçka, për mua është si një luftë. Është një betejë”, u shpreh ajo.
Aktorja shtoi se edhe Carlo Ponti ishte ndikuar nga mendimet e të tjerëve. “Edhe Carlo më tha një herë: ‘Operatorët e kamerës thonë se e ke hundën shumë të gjatë. Ndoshta duhet të bësh një ndërhyrje të vogël’. Unë iu përgjigja: ‘Dëgjo, nuk dua të ndryshoj asgjë në fytyrën time, sepse e dua fytyrën time. Nëse duhet ta ndryshoj hundën, atëherë do të kthehem në Pozzuoli'”.



