Sukseset nuk kanë fund për artisten Bebe Rexha. Këngëtarja shqiptare me famë botërore ka publikuar ditë më parë albumin e saj të tretë në karrierë “Bebe”. Albumi përmban gjithsej 12 këngë, tri prej të cilave janë bashkëpunime me emra të njohur të muzikës ndërkombëtare si: David Guetta, Snoop Dogg dhe Dolly Parton.

Menjëherë pasi ka dalë në shitje, albumi i artistes shqiptaro-amerikane ka filluar të ngjitet lart në ‘top list’-at ndërkombëtare të muzikës. Aktualisht ai renditet si albumi i pestë më i shitur në nivel global, sipas matësit të platformës muzikore iTunes.

E lumtur për suksesin, këngëtarja 33-vjeçare ndau me ndjekësit e saj në rrjetin social Twitter një njoftim të këtij suksesi, duke qenë falënderues ndaj të gjithë atyre që po e mbështesin albumin e saj të ri. Rikujtojmë se “Bebe” iu pason dy albumeve të mëparshme në karrierën e Bebe Rexhës, “Better Mistakes” në vitin 2021 dhe “Expectations” në vitin 2018.

Një tjetër sukses i padiskutueshëm i artistes është edhe kënga “I’m Good(Blue)” që ka arritur mbi 150 milion klikime në platformën YouTube.