Albert Spiess, biznesmeni zviceran nga kantoni i Graubünden, është ndarë nga jeta duke lënë pas një prej koleksioneve më të rralla të makinave Lamborghini. Për dekada me radhë, ai mblodhi në garazhin e tij modele të veçanta të markës italiane, përfshirë edhe disa nga edicionet më të kufizuara të prodhuara nga Lamborghini në Sant’Agata Bolognese.

Gjithçka nisi në vitin 1979, kur Spiess bleu një Lamborghini Countach LP400 S. Pas kësaj, pasioni për markën italiane u kthye në një koleksion të jashtëzakonshëm, ku përfshiheshin modele si Miura SV, Reventón, Silhouette, Sesto Elemento, Veneno, Centenario dhe Sián. Ndryshe nga koleksionistët që blejnë makina për t’i shitur më vonë me fitim, Spiess i shihte ato si automjete për t’u drejtuar dhe përjetuar.
Pasuria e tij lidhej me kompaninë familjare Albert Spiess AG, e themeluar në vitin 1909 nga Albert Spiess-Thöny në kantonin e Graubünden. Biznesi, i fokusuar te mishi i tharë dhe produktet e përpunuara të mishit, u zgjerua ndër vite nga një aktivitet familjar në një kompani të konsoliduar industriale. Në vitin 2008, ajo iu bashkua grupit zviceran të industrisë ushqimore ORIOR, duke nisur edhe procesin e zgjerimit ndërkombëtar.
Humbjen e Spiess e ka komentuar edhe Stephan Winkelmann, administratori i Lamborghini, i cili e ka cilësuar marrëdhënien me koleksionistin zviceran si të veçantë. “Është e rrallë që një klient i vetëm të lërë një gjurmë kaq të thellë në historinë e një marke, siç bëri Albert me Lamborghini”, shkroi Winkelmann, duke kujtuar se njohja e tyre datonte që prej vitit 2005. Winkelmann shtoi se edhe gjatë viteve kur ai drejtonte Bugatti-n, të dy nuk e kishin humbur kontaktin. Ai e përshkroi Spiess jo vetëm si një njeri me pasion të jashtëzakonshëm për Lamborghini-t, por edhe si një person të mirë, bujar dhe mik të çmuar.



