Një çift nga Kanadaja blenë një autobus të vjetër shkolle dhe e shndërruan atë në një shtëpi 20 metra katrorë me energji diellore dhe filluan të udhëtonin botën. Tanya Nestoruk dhe Arya Touserkani vendosën ta linin pas jetën konvencionale dhe ta shndërronin një autobus të vjetër shkolle në shtëpi. Çifti gjeti një autobus shkolle në Vankuver të Kanadasë, i cili ishte gati të hiqej nga përdorimi për shkak të një rinovimi të flotës dhe e bleu atë për rreth 7,200 dollarë.
Pasuan shtatë muaj punë, duke hequr pothuajse të gjithë pjesën e brendshme të autobusit dhe duke krijuar një hapësirë prej rreth 20 metrash katrorë nga e para. Kostoja totale e konvertimit arriti në rreth 40,000 dollarë. Të jetuarit në një hapësirë të vogël nuk ishte asgjë e re për të dy, pasi para autobusit, ata kishin jetuar në një furgon me sipërfaqe vetëm 5 metra katrorë. Kjo përvojë u lejonte atyre të udhëtonin, por gjithashtu kufizonte ndjeshëm hapësirën e disponueshme për punë, magazinim, gjumë dhe aktivitete të përditshme.
Autobusi ofron rreth katër herë më shumë hapësirë, duke u lejuar atyre të krijonin zona të ndara për dhomën e gjumit, kuzhinën, banjon dhe punën. Konvertimi filloi me çmontimin e plotë të brendësisë, sediljet, raftet e bagazheve, tapiceria, izolimi dhe dyshemeja prej gome u hoqën për të projektuar hapësirën nga e para.
Meqenëse autobusi do të udhëtonte nga temperaturat e ftohta të Kanadasë në vapën e Meksikës, theks i veçantë iu vu izolimit termik. U instalua material izolues me shkumë, ndërsa për shkak të lakimit të çatisë, u desh të ndërtoheshin dritare çatie të posaçme. Dhoma e gjumit u krijua në pjesën e pasme, ndërsa kuzhina, banjo dhe lavanderia u vendosën në qendër, në mënyrë që të mund të shfrytëzohej çdo metër katror i disponueshëm.
Një shkallë nga dhoma e gjumit të çon mbi çati, ndërsa jashtë ka një strukturë të veçantë për transportimin e biçikletave. Në çati u instaluan panele fotovoltaike, të cilat gjenerojnë energjinë elektrike që i nevojitet shtëpisë. Autonomia e energjisë varet nga rrezet e diellit, konsumi i pajisjeve, kapaciteti i baterisë dhe kushtet e motit. Transformimi u përfundua në nëntor 2022, kur Tanya dhe Arya filluan udhëtimin e tyre. Fillimisht ato udhëtuan përgjatë bregdetit të Paqësorit, duke kaluar nëpër Uashington, Oregon dhe Kaliforni, përpara se të shkonin në Meksikë dhe Arizona.




