Një drejtues mjeti mund të ndalohet nga policia për shumë arsye, si për shembull tejkalimi i shpejtësisë, kalimi me semafor të kuq apo xhamat e errësuar.
Por në Montana të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një burrë është bërë lajm për një arsye krejt të pazakontë. Ai po drejtonte një banane gjigante mbi rrota.
Është fjala për Steve Braithwaite, i cili ka transformuar një kamion “Ford F-150” të vitit 1993 në një automjet 7 metra të gjatë në formë bananeje.
Sipas mediave të huaja, projekti nisi në vitin 2008 dhe përfundoi në vitin 2011, me synimin për të sjellë më shumë humor dhe fantazi në rrugët e Amerikës.
Megjithëse pamja e pazakontë e mjetit tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, policia e ndaloi për një arsye konkrete: targa e automjetit ishte pjesërisht e mbuluar nga dy kuti, duke e bërë të vështirë leximin e saj.
Pas një bisede miqësore me efektivët, Braithwaite u lejua të vazhdonte udhëtimin pa u gjobitur.
Ndërkohë kjo nuk është hera e parë që “banania” ndalohet nga policia. Vetë Braithwaite thotë se për vite me radhë ka qenë ndër drejtuesit më të ndaluar në SHBA për shkak të automjetit të tij unik.
Së fundmi ai ka lënë shtëpinë e tij në Michigan dhe ka nisur një udhëtim të gjatë nëpër Amerikë me mjetin e pazakontë, duke promovuar moton e tij: “Bota ka nevojë për më shumë fantazi”.






