Judy Church e dinte që i dashuri i saj, Leroy Fowler, po dilte me një grua tjetër. Por ajo vendosi që të mos ndahej duke besuar se një ditë ai nuk do të takohej më me Barbara Randall.
Church dhe Fowler kishin 10 vite bashkë, ata ishin takuar kur martesa e Leroy kishte marrë fund. Ai u zhvendos në shtëpinë e partneres së tij në Salisbury, Massachusetts, si qiramarrës.
Church ishte një ish-mësuese dhe kujdestare në marrëdhënie. Ajo shpesh e llastonte Leroy-n me dhurata, madje duke i blerë edhe një motoçikletë.
Por për tetë vjet, Leroy po dilte edhe me Barbara-n, një grua me të cilën ishte rilidhur në “Facebook”. Në një moment, Judy i dërgoi mesazh asaj për të provuar që ta bindte t’u jepte fund gjërave, duke i thënë se Leroy “do vetëm veten”
“Ai po luan me të dyja ne, gënjeshtra mbi gënjeshtra. Ai është një frikacak. Thjesht është koha që të dyja ta ndajmë”, i shkroi Church-Randall.
Ndërkohë më 11 nëntor të vitit 2022, në ditëlindjen e 55-të të Leroy-t, Judy u sigurua që kur ai të pinte pijen e tij të preferuar, gjithçka të merrte fund. Në orën 8 të mbrëmjes, ajo bëri një telefonatë në 911 dhe tha se Leroy ishte shumë keq.
“I dashuri im duhet të ketë gëlltitur diçka dhe nuk mund të qëndrojë. I rrjedh gjak nga hunda dhe më tha të telefonoja ambulancën”, tha ajo, duke shtuar gjithashtu se ai po e shkatërronte vendin në mënyrë maniake.
Kur ndihmësit mjekësorë arritën në vendin e ngjarjes, e gjetën Leroy-n jashtëzakonisht të hutuar dhe me dhimbje. Ai pranoi se kishte marrë ilaçin Percocet natën e kaluar, por jo atë ditë.
Në spital, mjekët e vunë atë menjëherë në aparat për mbështetje jetësore, ndërsa organet e tij filluan që të ndalonin së funskionuari. Familja e tij mbërriti në spital dhe stafi mjekësor i tha se dyshonin se gjendja e tij ishte shkaktuar nga gëlltitja e antifrizit.
Antifrizi përmban etilen glikol, një substancë që gjendet në lëngun për shkrirjen e akullit dhe lëngun e frenave hidraulike. Kjo i kishte shkaktuar dëme të pariparueshme trupit të tij dhe pas dy ditësh, aparati mbështetës i jetës i Leroy-t u shkëput dhe ai vdiq.
Familja e Leroy-t kishte dyshuar te Church dhe kishin telefonuar policinë për të bërë denoncimin. Ata shpjeguan se viktima kishte qenë duke u takuar me Barbarën dhe se Judy ishte tërbuar për këtë.
Në fillim, Church nuk e lejoi policinë të hynte në pronën e saj dhe ata folën jashtë. Ajo mohoi se Leroy kishte ngrënë ose pirë diçka para se të sëmurej. Djali i rritur i Church-it, i cili jetonte në ndërtesë, sugjeroi se mund të kishte qenë helmim me dioksid karboni.
Policia më pas u kthye me një urdhër kërkimi dhe e gjeti vendin “të ndyrë dhe të rrëmujshëm”. Ata gjetën një shishe bosh për shkrirësin e akullit që më parë kishte pasur lëng portokalli.
Ata gjetën gjithashtu shishen e frutave Powerade, e cila duhet të kishte pasur lëng të kuq, por në fund kishte lëng portokalli. Testet konfirmuan se kishte antifriz dhe ADN-ja e Church-it ishte në shishe.
Oficerët gjetën një fletore që Church e kishte shkruar kur ishte e zemëruar me Leroy-n. Një shënim thoshte: “E urrej të rri vetëm. Të urrej për të gjitha gënjeshtrat. Ti nuk më do; kjo nuk është dashuri.”
Hetuesit sekuestruan telefonin e Church dhe u tmerruan kur zbuluan se ajo kishte bërë 13 video të Leroy-t ndërsa ai përpëlitej nga agonia dhe lutej për ndihmë përpara se të telefononte 911. Në një moment ajo mund të dëgjohet duke e tallur mizorisht duke thënë: “Po argëtohesh?”
Ata gjetën gjithashtu një foto të sajuar të Leroy-t ndërsa ai po vdiste në spital. Church kishte vendosur dhurata ditëlindjeje dhe një ëmbëlsirë që ia kishte blerë sipër në shtratin e spitalit. Ishte drithëruese.
Church u arrestua dhe u akuzua për vrasjen e Leroy-t. Në gjyqin e këtij viti, prokuroria e quajti trekëndëshin e dashurisë midis Church, Leroy dhe Barbara “toksik dhe jofunksional”. Ata thanë se Church kishte përdorur antifrizin si armë vrasjeje dhe ajo ishte e vetmja që kishte qasje për ta shtuar atë.
Gjykata dëgjoi se Church kishte pritur të paktën 30 minuta për të telefonuar 911, ndërsa Leroy ishte në agoni dhe organet e tij po ndalonin së funksionuari. Në vend që t’i kërkonte ndihmë, ajo e kishte filmuar dhe shijuar dhimbjen e tij.
Juria u tmerrua kur e pa atë duke u lëkundur dhe duke rënkuar nga ankthi, ndërsa Church mund të dëgjohej duke e tallur, duke thënë: “A është ditëlindja jote?”.
Gjykata dëgjoi se Church bënte shaka të papërshtatshme për dëmtimin e Leroy-t dhe madje i tha një miku të familjes: “Nëse më tradhton ndonjëherë, do ta helmoj”.
Në mars të këtij viti, Church, 67 vjeç, u shpall fajtore për vrasje të shkallës së parë me paramendim dhe mizori e krim ekstrem. Një muaj më vonë, gjyqtari vendosi dënimin me burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi me kusht.




