Është dënuar me 4 vjet e 5 muaj burg, 61 vjeçari suedez i cili akuzohet se detyroi bashkëshorten e tij të ofronte shërbime seksuale për më shumë se 120 burra. Gjykata arriti në konkluzionin se 61 vjeçari e kishte kërcënuar bashkëshorten dhe e kishte dhunuar. Ai u dënua për vepra penale duke përfshirë tentativë përdhunimi, prostitucion të rënduar, sulm dhe kërcënime të paligjshme pas një gjyqi të zhvilluar në Härnösand, në bregdetin lindor të Suedisë.
Gjykata dënoi gjithashtu 28 burra të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje që ka tronditur gjithë opinionin publik suedez. Rasti tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe disa e kanë krahasuar me Dominique Pelicot në Francë, i cili u zbulua se kishte droguar ish-gruan e tij, Gisèle, dhe kishte lejuar burra të tjerë ta përdhunonin atë për një periudhë prej 9 vitesh.
Burri nga provinca suedeze Ångermanland vazhdimisht mohoi çdo shkelje dhe pretendoi se kishte ndihmuar vetëm në organizimin e takimeve konsensuale. Por gjykata mbajti anën e prokurorëve, duke gjetur se ai e kishte shfrytëzuar pa mëshirë gruan. Asnjëri prej tyre nuk është identifikuar publikisht. Sipas ligjit suedez, akuzat për përdhunim mund të ngrihen për sulme seksuale në të cilat serioziteti i shkeljes është i krahasueshëm me marrëdhënien seksuale, thonë grupet e të drejtave të njeriut.
Gjykata gjithashtu e dënoi burrin për një akuzë për tentativë përdhunimi, por rrëzoi tre akuza të tjera. Përveç dënimit me burg, gjykata e urdhëroi atë t’i paguante gruas 15,900 paund dëmshpërblim. Edhe pse 120 burra u identifikuan nga autoritetet suedeze si të përfshirë në shërbimet seksuale që ofroi burri, vetëm 29 prej tyre u akuzuan në lidhje me rastin. Shumica thuhet se i mohuan akuzat kundër tyre, duke thënë se ose nuk kishin kryer marrëdhënie seksuale me gruan ose nuk kishin paguar për të.



