Aktorja e njohur, Lucy Hale, po përjeton një nga momentet më të dhimbshme të jetës së saj. Ajo ka bërë të ditur se babai i saj, Preston Hale, ka ndërruar jetë papritur në moshën 68-vjeçare.

Lajmin e trishtë Lucy e ndau me ndjekësit përmes një videoje të shoqëruar me një dedikim emocional në “Instagram”, ku foli me dashuri për njeriun që, sipas saj, ishte mbështetja më e madhe në jetë.

Në mesazhin prekës, Hale e përshkroi të atin si një burrë të dashur, të sjellshëm dhe plot humor, që e vendoste familjen mbi gjithçka.

Aktorja e njohur në serialin “Pretty Little Liars” kujtoi me mall dashurinë e pakushtëzuar që ai i kishte dhënë asaj dhe motrës së saj, duke zbuluar se biseda dhe takimi i tyre i fundit do të mbeten përgjithmonë ndër kujtimet më të çmuara.

“Ti je një legjendë, babi. Faleminderit për mësimet, kujtimet, dashurinë pa kushte dhe që ishe pikërisht babai që më duhej në këtë jetë. Do të të dua në këtë jetë dhe në të gjitha të tjerat”, shkroi aktorja.

Sipas nekrologjisë së publikuar nga familja, Preston Hale ndërtoi një karrierë prej 37 vitesh në sektorin e bujqësisë dhe të korporatave.

Ai la pas bashkëshorten Stacy, fëmijët, si dhe nipërit e mbesat, të cilët e kujtojnë si një njeri të përkushtuar ndaj familjes.

Pas publikimit të dedikimit, rrjetet sociale u mbushën me mesazhe ngushëllimi dhe mbështetje për Lucy Hale. Fansa, kolegë dhe miq të aktores shprehën solidaritetin e tyre, duke i dërguar fjalë ngushëllimi në këtë periudhë të vështirë.