Britney Spears ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj një eksperiencë me një trajtim estetik që i ka shkaktuar shqetësim. Ajo ka vendosur që t’i paralajmërojë rreth rreziqeve të procedurave me botox.
Këngëtarja e famshme publikoi në “Instagram” një video ku tregoi se pas injektimit të botox-it në zonën rreth syrit, qepalla e majtë i kishte rënë dukshëm.
Sipas 44-vjeçares, sasia e injektuar në atë zonë ka qenë e tepërt. Duke treguar syrin në video, ylli i muzikës shpjegoi se ndryshimi në pamjen e saj ishte bërë menjëherë i dukshëm.
Problemi, sipas rrëfimit të saj, nuk ishte i përkohshëm vetëm për pak ditë. Këngëtarja tha se qepalla i kishte qëndruar e varur për rreth katër javë dhe se vetëm kohët e fundit gjendja kishte nisur të përmirësohej.
“Vendosi aq shumë botox në këtë sy, saqë më ra kështu”, u shpreh Britney, duke shtuar se situata kishte qenë tepër e sikletshme për të.
Spears më pas përdori rastin për t’u bërë thirrje veçanërisht grave që të informohen mirë përpara se të zgjedhin një trajtim estetik.
“Duhet të bëni kujdes me botox-in. Këta njerëz dhe këta mjekë mund t’iu prishin vërtet sytë”, tha ajo, duke theksuar se ndryshimet në fytyrë duhet të trajtohen me shumë kujdes.
Në fund të videos, artistja përcolli edhe një tjetër mesazh për ndjekësit, duke i nxitur të kujdesen për trupin e tyre dhe të mos marrin vendime të nxituara për pamjen.
“Nuk mund t’i besosh askujt!!!”, shkroi Spears në përshkrimin e publikimit.



