Elon Musk do të japë dorëheqjen nga posti i shefit ekzekutiv të “Twitter” kur të gjejë “dikë mjaftueshëm budalla për të marrë këtë detyrë”.

Miliarderi kishte premtuar se do t’i përmbahej rezultatit të një sondazhi në “Twitter”, ku 57.5% e përdoruesve votuan “po” për largimin e tij nga CEO i “Twitter”.

Ai thotë se do të vazhdojë të drejtojë ekipet e softuerit dhe serverëve pasi të gjendet zëvendësuesi i tij.

“Do të jap dorëheqjen si CEO sapo të gjej dikë mjaftueshëm budalla për të marrë vendin e punës! Pas kësaj, unë thjesht do të drejtoj ekipet e softuerit dhe serverëve”, shkroi ai.

Ndryshimet në platformë që kur ai mori në pronësi median sociale janë kritikuar shumë.

Që kur Musk bleu faqen e mediave sociale në tetor, ai ka shkarkuar rreth gjysmën e stafit të saj. Grupet e lirive civile kanë kritikuar gjithashtu qasjen e tij ndaj moderimit të përmbajtjes, duke e akuzuar atë për marrjen e hapave që do të rrisin gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

Të premten, Musk u dënua nga Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për vendimin e “Twitter” për të pezulluar disa gazetarë që mbulojnë firmën e mediave sociale.

OKB-ja postoi në “Twitter” se liria e medias “nuk ishte një lodër”, ndërsa BE kërcënoi se do vendoste sanksione.

Kjo është hera e parë që multimiliarderi i është përgjigjur sondazhit të nisur të dielën duke pyetur nëse ai duhet të japë dorëheqjen.

Gjetja e dikujt për të marrë përsipër platformën e mediave sociale mund të jetë një sfidë, sipas Musk.

Disa njerëz spekulojnë se bashkëthemeluesi i “Twitter”, Jack Dorsey gjithashtu mund të kthehet për të drejtuar kompaninë. Ai dha dorëheqjen si shef ekzekutiv në nëntor 2021.

“Askush nuk e dëshiron punën që mund ta mbajë ‘Twitter’ gjallë”, shkroi ai në rrjetin social pas sondazhit.