Së fundmi Elon Musk ka bërë një sondazh në “Twitter”, ku ka pyetur përdoruesit nëse duhet të largohet nga posti i shefit ekzekutiv të rrjetit social. E mesa duket shumica janë dakord që ai ta lërë atë post.
Një total prej 57.5% votuan “po” pasi Musk pyeti 122 milionë ndjekësit e tij nëse ai duhet të tërhiqej. Musk, i cili bleu “Twitter” për 44 miliardë dollarë tha para mbylljes së sondazhit se ai do t’i përmbahej rezultatit.
Manjati i teknologjisë, i cili gjithashtu drejton Tesla dhe Space X, është përballur me shumë kritika që nga marrja në dorë e faqes. Ndërkohë, ende nuk ka komentuar që nga mbyllja e sondazhit. Edhe nëse ai do të jepte dorëheqjen si shef ekzekutiv, do të mbetej si pronar i “Twitter”.
Rreth 17.5 milionë njerëz votuan në sondazhin e tij. Në të kaluarën, Musk i është bindur sondazheve në “Twitter”. Atij i pëlqen të citojë frazën “vox populli, vox dei”, një frazë latine që përafërsisht do të thotë “zëri i popullit është zëri i Zotit”. Që kur nuk ishte pronari i rrjetit social “Twitter”-it, Musk ishte ankuar për llogarinë @ElonJet për ndjekjen e çdo lëvizjeje të tij.
Sipas tij, kjo konsiderohet si ekspozim i informacioneve private në internet pavarësisht se këto regjistra janë të domenit publik.
Pronari i tij Jack Sweeney, 20 vjeç, përdorte informacione të disponueshme për gjurmimin e fluturimeve për të postuar në “Twitter” çdo herë që avioni i Musk ngrihej dhe ulej. Musk thotë se është në pritje të veprimeve ligjore kundër Sweeney dhe të tjerëve.
Ai shtoi se çdo llogari që zbulon vendndodhjen e njerëzve në kohë reale do të pezullohet pasi është një shkelje fizike e sigurisë. Sweeney mohoi se incidenti ishte i lidhur me llogarinë e tij kur u pyet nga BBC.