Një ngjarje tronditëse ka shokuar Portugalinë, ku dy fëmijë të vegjël janë gjetur të braktisur në një zonë pyjore pranë Lisbonës, me sy të lidhur dhe duke qarë në panik. Bëhet fjalë për një djalë 5-vjeçar dhe motrën e tij 3-vjeçare, të cilët u gjetën rastësisht nga një burrë që po kalonte me makinë në zonën Monte Novo do Sul, në jug të Lisbonës.
Sipas mediave portugeze, fëmijët flisnin vetëm frëngjisht dhe ishin tepër të frikësuar. Burri që i gjeti tregoi se secili prej tyre mbante një çantë me disa rroba, një shishe ujë, biskota dhe fruta. Ai dyshoi menjëherë se bëhej fjalë për një rast braktisjeje dhe njoftoi policinë, ndërsa tentoi t’i qetësonte fëmijët duke i çuar në një lokal pranë zonës.
Hetimet paraprake tregojnë se nëna 42-vjeçare dhe njerku i fëmijëve, të dy shtetas francezë, i kishin çuar në pyll dhe u kishin thënë të kërkonin një lodër. Më pas, sipas dëshmive të marra nga autoritetet, ata janë larguar duke i lënë vetëm në mes të pyllit. Babai biologjik i fëmijëve kishte denoncuar zhdukjen e tyre më 11 maj, ndërsa prokuroria e Lisbonës ka hapur tashmë hetim zyrtar për rastin. Dyshohet se çifti francez është larguar jashtë Portugalisë, ndërsa fëmijët ndodhen nën kujdesin e ekipit mjekësor në spitalin e Setubalit.



