Dy të rinj janë arrestuar dhe dënuar në procedurë të përshpejtuar në Londër, pasi filmuan dhe publikuan në TikTok një video ku ngacmonin dhe fyenin një hebre ortodoks në zonën Stamford Hill. Sipas policisë britanike, 20-vjeçari Adam Bedoui dhe 21-vjeçari Abdelkader Amir Bousloub kishin shkuar qëllimisht në lagjen me komunitet të madh hebre për të krijuar përmbajtje antisemitike për rrjetet sociale.

Ata iu afruan një burri hebre ortodoks, e ngacmuan verbalish dhe filmuan gjithçka për ta publikuar më pas në TikTok. Policia e Londrës e cilësoi rastin si një “krim urrejtjeje antisemit i qëllimshëm”, ndërsa autorët u arrestuan menjëherë pas raportimit të incidentit.

Sipas hetuesve, dy të rinjtë pranuan fajësinë në gjykatë për shkelje të rendit publik me motiv urrejtjeje fetare. Autoritetet britanike deklaruan se raste të tilla nuk kanë vend në Londër dhe paralajmëruan masa të forta ndaj krimeve të urrejtjes. Policia bëri me dije gjithashtu se gjatë katër javëve të fundit janë arrestuar rreth 50 persona në Londër për përfshirje në incidente antisemitike.