Reperja e famshme, Lizzo, ka filluar që të humbasë ndjekës në profilin e saj në “Instagram”, pasi u akuzua për ngacmim seksual, keqtrajtim dhe bullizim.
Deri më tani ajo ka humbur mbi 220 mijë ndjekës, e duket se fansat e saj vazhdojnë që t’i bëjnë “unfollow” asaj nga rrjetet sociale.
Këngëtarja para akuzave të rënda kishte mbi 13.5 milionë ndjekës në “Instagram”, ndërsa tani numëron 13.3 milionë, sipas faqes statistikore “Social Blade”.
Ndërkohë kujtojmë që Lizzo-n e paditën disa ditë më parë tre ish-balerinat që kanë punuar për të, për ngacmim seksual dhe mjedis armiqësor pune.
Arianna Davis, Crystal Williams dhe Noelle Rodriguez janë tre vajzat që kanë ngritur padinë ndaj këngëtares.
Ato shpjeguan se ishin të detyruara të duronin “sjellje denigruese seksuale” nga reperja, madje u ishte bërë presion të merrnin pjesë në një shfaqje shqetësuese seksi.
Pas këtyre akuzave, Lizzo reagoi mbi padinë e ngritur. Në një deklaratë të postuar në mediat sociale ajo u shpreh:
“Këto ditët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe jashtëzakonisht zhgënjyese. Etika, morali dhe respekti im i punës janë vënë në pikëpyetje. Karakteri im është kritikuar. Zakonisht unë zgjedh të mos përgjigjem ndaj akuzave të rreme, por këto janë aq të pabesueshme sa duken dhe tepër të çmendura për të mos u adresuar”.