Aktori i famshëm i Hollywood-t, Brad Pitt, ka folur hapur për një kapitull të vështirë të jetës së tij. Ai ka zbuluar se ka rifilluar të konsumojë alkool pas 7 vitesh abstinencë.

Gjatë një interviste të fundit për “Esquire”, 62-vjeçari pranoi se ka pasur një rikthim te konsumimi i alkoolit, por këtë herë shprehet se po përpiqet t’a mbajë situatën nën kontroll.

Ylli i kinematografisë tregoi se në disa momente ishte bindur se mund të pinte sërish pa pasur probleme, por më pas kuptoi se alkooli nuk ishte një zgjedhje e mirë për të.

Brad Pitt tha se mund të konsumojë disa gota verë, por e di se duhet të vendosë kufij dhe të jetë shumë i kujdesshëm, pasi nuk mund ta teprojë me sasinë.

Rrëfimi vjen ndërsa aktori ka folur edhe për periudhën më të errët të jetës së tij, duke pranuar se gjatë problemeve të shumta familjare kishte përjetuar edhe mendime vetëvrasëse.

Marrëdhënia e tij me alkoolin u vu në qendër të vëmendjes pas një incidenti në një avion në vitin 2016, kur aktori dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit. Ngjarja u lidh më pas me përkeqësimin e marrëdhënies së tij me Angelina Jolie dhe me krizën që pasoi në familjen e tyre.

Në vitin 2019, Pitt kishte bërë publike se kishte hequr dorë nga alkooli dhe se ishte përfshirë në një program me 12 hapa për të përballuar problemet e tij me varësinë.

Tani, vite më vonë, aktori ka zgjedhur të flasë pa e fshehur rikthimin, duke treguar se për të përballja me alkoolin ka qenë një proces i gjatë dhe se kontrolli mbi konsumin mbetet një sfidë që kërkon kujdes të vazhdueshëm.