Aktorja e njohur, Chrissy Metz, ka folur hapur për përdorimin e ilaçeve të grupit GLP-1, duke treguar se vendimi për t’i përdorur erdhi pas gjashtë vitesh skepticizëm dhe shqyrtimi të kujdesshëm.

Metz, e njohur për rolet e saj në “This Is Us” dhe “Breakthrough”, ka treguar se ka humbur rreth 45 kilogramë, ndërsa më parë kishte folur për rolin e ushtrimeve të forcës dhe aktivitetit fizik në transformimin e saj

Së fundmi, aktorja ka pranuar se në proces ka ndikuar edhe përdorimi i ilaçeve GLP-1, të cilat përdoren në trajtimin e diabetit të tipit 2 dhe, në raste të caktuara, për menaxhimin e peshës.

Metz tha se për një kohë të gjatë kishte qenë skeptike dhe shumë e kujdesshme për mënyrën se si këto medikamente mund të ndikonin në organizmin e saj.

Sipas saj, vendimi për t’i përdorur nuk lidhej me dëshirën për të ndryshuar pamjen apo me presionin e të tjerëve, por me synimin për të përmirësuar shëndetin e saj në planin afatgjatë.

Një mik i saj e ndihmoi të informohej më shumë rreth trajtimit, duke marrë parasysh edhe historinë e saj personale dhe familjare.

Aktorja ka treguar se që në fëmijëri kishte provuar dieta të ndryshme dhe se vetëm më vonë kuptoi se në marrëdhënien e saj me ushqimin ndikonin edhe faktorë të tjerë.

Metz tha gjithashtu se trajtimi e kishte ndihmuar në atë që ajo e përshkruan si “zhurma e ushqimit”, duke iu referuar mendimeve të vazhdueshme dhe dëshirës së shpeshtë për të ngrënë.

Megjithatë, Metz theksoi se përvoja e saj nuk duhet parë si një rekomandim për të gjithë. Ajo këshilloi personat që po mendojnë të përdorin ilaçe të tilla që të informohen mirë dhe të konsultohen fillimisht me mjekë apo profesionistë të tjerë të shëndetit.