Një grabitje e pazakontë është regjistruar në Venecia të Italisë, ku një hajdut ka hyrë në një restorant dhe ka marrë pothuajse vetëm përbërësit që përdoren për përgatitjen e koktejit të famshëm spritz. Nga lokali janë zhdukur shishe Aperol, Campari dhe Select, ndërsa vera dhe pijet e tjera alkoolike kanë mbetur të paprekura. Ngjarja ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe të hënës, në restorantin “Orient Experience”, në zonën Campo Santa Margherita.

Pasi ka shqyer derën, autori ka hyrë në ambientet e lokalit dhe ka shkuar drejt banakut, ku ka marrë sirtarin e kasës me paratë e lëna për kusurin. Përveç parave, hajduti ka marrë rreth dhjetë paketime me pije që përdoren për përgatitjen e spritz-it. Ajo që e bën të veçantë rastin është fakti se shishet e verës dhe pijet e tjera, përfshirë disa me vlerë më të lartë, nuk janë prekur.

Dëmet nga vjedhja dhe ndërhyrja për të hapur derën llogariten në afro 1 mijë euro. Pronari i restorantit, i cili u prononcua për gazetën “Il Gazzettino”, tha se fatmirësisht hajduti nuk kishte thyer vitrina apo pajisje të tjera. “Fatmirësisht, hajduti nuk ka thyer vitrina apo gjëra të tjera. Megjithatë, do të na duhet të zëvendësojmë derën e hyrjes”, deklaroi ai.