Boksierja e njohur dhe kampionia olimpike, Imane Khelif, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Ajo është paraqitur në premierën e filmit “Naked Notes” në Festivalin e Filmit në Kanë.
Në tapetin e kuq, algjeriania u shfaq me një krijim elegant nga Chanel, duke zgjedhur një stil minimalist, por të rafinuar. Veshja e saj përfshinte një kostum të thjeshtë të kombinuar me një këmishë të bardhë, një lule dekorative në xhaketë dhe aksesorë diskretë. Veshjen e kishte kombinuar me këpucë lëkure të zeza dhe vathë të thjeshtë.
Nga ana tjetër, flokët i kishte të lidhura bisht, duke ruajtur një pamje klasike dhe moderne njëkohësisht.
Paraqitja e saj është pritur pozitivisht nga fansat, të cilët kanë komentuar gjerësisht në rrjete sociale me vlerësime si “shumë elegante”, “si një divë” dhe “shumë e bukur”.
Sipas stilistëve, detaji me lulen i jep veshjes një prekje të modës së lartë dhe sjell një frymë teatrale të frymëzuar nga estetika e viteve ’80.
Megjithatë, Khelif mbetet një figurë e përfolur në opinionin publik ndërkombëtar për shkak të polemikave të mëparshme lidhur me kriteret e pranimit në garat e boksit dhe diskutimeve mbi gjininë e saj.
Vetë sportistja ka deklaruar më herët se nuk është person transgjinor dhe se ka ndjekur trajtime hormonale në kuadër të rregullave sportive për të ulur nivelin e testosteronit para Lojërave Olimpike të Parisit 2024.
Pavarësisht debatit që e ka shoqëruar në karrierë, Khelif vijon të jetë në qendër të vëmendjes si në sport ashtu edhe në evente ndërkombëtare të modës dhe kulturës.








