Një alarm u dha në autostradën Attiki Odos në Greqi, pasi policia konstatoi një 90-vjeçar duke drejtuar automjetin në korsinë e majtë, në sensin e kundërt të lëvizjes. Ngjarja ndodhi në zonën e Koropit, ku i moshuari po lëvizte me automjetin e tij në korsinë e majtë të rrugës, në drejtim të kundërt, duke vënë në rrezik drejtuesit e tjerë.
Efektivët e Departamentit të Trafikut të Attiki Odos e vunë re menjëherë lëvizjen e rrezikshme dhe e ndoqën automjetin, duke arritur ta ndalonin në hyrje të Attiki Odos nga Markopoulo. Nga verifikimet e policisë rezultoi se 90-vjeçari nuk kishte me vete lejen e drejtimit, e cila, madje, kishte skaduar që në vitin 2018.
Ndaj 90-vjeçarit u ngrit procedim penal për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe shkelje të Kodit Rrugor. Gjithashtu, atij iu vendos një gjobë administrative prej 440 eurosh. Materialet e përgatitura nga Departamenti i Trafikut të Attiki Odos iu dorëzuan prokurorit kompetent./PiranjatNews/



