Një nga serialet më të famshme turke, “Lugina e Ujqërve” është përfshirë në një hetim të ri që ka tërhequr vëmendjen e mediave në Turqi. Autoritetet po shqyrtojnë nëse disa elemente të serialit mund të përmbajnë udhëzime të lidhura me organizata dhe nëse produksioni ka pasur ndonjë lidhje me FETO-n. FETO është një rrjet i lidhur me predikuesin turk Fethullah Gülen, të cilin autoritetet turke e akuzojnë për organizimin e tentativës për grusht shteti të vitit 2016. nHetimi lidhet me një ngjarje të vitit 2011 dhe vdekjen e Kasif Kozinoglu, ish-oficer i Organizatës Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë (MIT), i cili vdiq në burgun e Silivrit në nëntor të atij viti.
Por ajo që ka rikthyer në vëmendje serialin është një detaj i çuditshëm i një episodi të transmetuar vetëm dy ditë para vdekjes së Kozinoglu. Në episodin e “Lugina e Ujqërve” të transmetuar më 10 nëntor 2011, shfaqet një personazh i quajtur Kazim Kasifoglu, i cili mbahet në një qeli dhe kërcënohet me vdekje. Personazhi më vonë eliminohet nga historia e serialit. Pikërisht kjo ngjashmëri është bërë pjesë e hetimit të rihapur për vdekjen e Kozinoglu. Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu disa detaje të tjera të serialit, mes tyre edhe targat e automjeteve që përmbajnë shkronjat “FG”.
Materialet janë dërguar për shqyrtim te një panel ekspertësh të jashtëm, ndërsa tre skenaristët e serialit, Raci Şaşmaz, Bahadır Özdener dhe Cüneyt Aysan, janë marrë në pyetje si dëshmitarë dhe jo si të dyshuar. Şaşmaz ka mohuar çdo lidhje të produksionit me ndonjë organizatë apo grup kriminal. “Ne nuk kemi pasur asnjë lidhje, ligjore apo të paligjshme, me ndonjë fuqi apo grup kriminal”, ka deklaruar ai gjatë dëshmisë.
Sipas tij, vdekja e personazhit në serial ishte thjesht pjesë e rrëfimit dhe nuk kishte lidhje me ngjarjet reale. “Vdekja e personazhit në serial shënon fundin e asaj historie. Nuk ka lidhje me jetën reale. Ne nuk mund ta dinim paraprakisht se dikush do të vdiste”, është shprehur skenaristi. Deri tani, nuk ka një vendim përfundimtar dhe skenaristët nuk janë shpallur të dyshuar. Hetimi vijon për të zbardhur nëse ekziston apo jo ndonjë lidhje mes përmbajtjes së serialit dhe çështjes së vdekjes së Kozinoglu.



