Reperi i famshëm, Kanye West dhe bashkëshortja e tij, Bianca Censori, kanë rikthyer sërish vëmendjen e mediave me paraqitjen e tyre të fundit në Francë.
Kaney festoi ditëlindjen e tij në një ambient luksoz pranë Pallatit të Versajës.
Fotografitë e publikuara në “Instastory” i shfaqin të dy në një ambient të dekoruar me elemente ari, qirinj dhe detaje madhështore, duke krijuar një atmosferë që i ngjan një seti mbretëror.
49-vjeçari u shfaq i veshur tërësisht me të zeza, me një kostum lëkure që i qëndronte besnik stilit të tij të errët dhe minimalist. Ndërkohë, 31-vjeçarja tërhoqi menjëherë vëmendjen me një korse sateni dhe një maskë me pupla, duke vijuar linjën e paraqitjeve të saj të guximshme.
“Daily Mail” shkruan se, në një nga momentet e publikuara, West shihet duke i prekur krahun bashkëshortes teksa pozonin së bashku në ambientet luksoze, duke krijuar një kontrast të fortë mes stilit të tyre modern dhe historisë së pallatit francez.
Sipas TMZ, festa u organizua me rreth 20 të ftuar dhe më pas vazhdoi në hotelin luksoz Airelles Chateau de Versailles, Le Grand Controle.
Raportohet se shpenzimet e eventit mund të kenë arritur deri në 400 mijë dollarë, ose rreth 370 mijë euro.
Edhe pse data e saktë e festës nuk është konfirmuar, dihet se Kanye West feston ditëlindjen më 8 qershor. Aktualisht, artisti ndodhet në Florida, ku koncertet e tij kanë vazhduar të shkaktojnë polemika.
Ndërkohë, reperi mbetet një figurë kontroverse në skenën ndërkombëtare për shkak të deklaratave të tij antisemite të viteve të fundit, të cilat kanë sjellë anulime kontratash, kritika të shumta dhe debate rreth paraqitjeve të tij publike.
Pavarësisht polemikave, Kanye dhe Bianca vazhdojnë të tërheqin vëmendjen kudo që shfaqen, ndërsa stili i tyre i pazakontë dhe paraqitjet provokuese mbeten ndër temat më të komentuara në botën e showbiz-it.










