Një sipërmarrës kinez po fiton rreth 15 mijë dollarë në muaj nga një biznes aspak i zakonshëm: klientët paguajnë që dikush t’i kruajë për një orë. 32-vjeçari Zhang Xiaoqiao hapi në maj të këtij viti pikën e parë të markës së tij, Suma, në distriktin Baoan të Shenzhenit. Vetëm një muaj më vonë hapi edhe një të dytë në distriktin Futian.

Të dyja pikat kanë arritur tashmë të mbulojnë kostot dhe po gjenerojnë fitim. Shërbimi kushton 300 juanë, ose rreth 40 dollarë, për një seancë njëorëshe. Klienti shtrihet me fytyrë poshtë në një krevat të ngjashëm me atë të masazhit, ndërsa punonjëset kruajnë zonat ku ai ndien nevojë, duke përdorur thonj të projektuar posaçërisht për këtë shërbim.

Zhang thotë se teknikat e përdorura i ka zhvilluar vetë. Rreth 70% e klientëve të biznesit të tij janë burra. Ideja i lindi pasi pa në internet një video virale të një gruaje që kruante bashkëshortin e saj. Në komente, shumë përdorues shkruanin se do të ishin të gatshëm të paguanin për një përvojë të ngjashme.

“Në qytetet e mëdha, njerëzit përgjithësisht përjetojnë nivele të larta stresi. Si rezultat, ky shërbim është shumë i kërkuar”, tha Zhang. Sipas tij, disa klientë e konsiderojnë përvojën edhe më relaksuese se një masazh, ndërsa një pjesë e tyre janë kthyer për seanca të tjera. Por dy qendra nuk i mjaftojnë 32-vjeçarit. Zhang synon të hapë 100 pika në të gjithë Kinën dhe ta kthejë kruajtjen profesionale në një profesion të njohur në nivel kombëtar.