Moderatorja e njohur, Erjola Doçi, ishte një ditë më parë e ftuar në emisionin “S’e luan Top”-i, ku ka rrëfyer shumë detaje për jetës e saj personale. Gjatë intervistës shumë emocionuese, ajo ka folur edhe për babain e saj të ndjerë.
“Unë kam qenë një vajzë shumë e lidhur me babin, e kam shprehur edhe në hyrjen time të ‘She’s on Top’ historinë për të, shenjën që kam te këmba. Unë jam djegur dhe babai më dha gjak e më shpëtoi jetën sepse isha në fazat e fundit, isha 4 vjeçe dhe mund të mos jetoja, as kockat nuk më ishin formuar”, tha moderatoja e njohur.
Në këto momente në ekran shfaqet një fotografi e saj me babain dhe Erjola nuk i mbajt dot lotët.
“Një ndër arsyet se pse unë akoma nuk di not është se po ma mësonte babai, edhe nuk ia doli ta plotësonte. Nuk dua të ma mësojë njeri tjetër. Unë ‘tallem’ e them ‘rri në breg jo si pjeshkat por ngaqë nuk di not’, e marr me sportivitet. Ka një histori dhe nuk e di ku e keni gjetur foton. Familjen e mbaj shumë të kyçur në sirtar, që çdo koment të jetë mbi supet e mia dhe jo të familjes sime. Është hera e parë që më bëhet publike fytyra e tij”, tha Doçi me lot në sy.