Modelja e famshme, Georgina Rodriguez, tërhoqi vëmendjen në Met Gala 2026 me një paraqitje të veçantë dhe elegante, duke u shfaqur me një fustan në nuanca akuamarin/jeshile dhe me një vello të gjatë. Një look që u interpretua si përfaqësim i kodit të veshjes “Fashion is Art”.
Kjo ishte hera e dytë që partnerja e futbollistit të famshëm, Cristiano Ronaldo, merr pjesë në eventin më prestigjioz të modës në Nju Jork.
Vitin e kaluar ajo debutoi me një fustan nga Vetements, me bisht të gjatë dhe një stil më të thjeshtë, ndërsa këtë vit u shfaq më e lirshme dhe më e guximshme me një krijim të Ludovic de Saint Sernin.
Ndërkohë fustani i saj për Met Gala 2026 ishte i punuar me detaje të veçanta, duke përfshirë vello prej rrjete, motive trëndafilash të qëndisura dhe një bisht të gjatë. Pamjen e kompletoi me aksesorë rreth krahut dhe flokë të valëzuar në onde të buta.
Një natë para eventit, Georgina u pa në një festë në Nju Jork të organizuar nga Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, ku zgjodhi një stil më minimalist me fustan të zi dhe xhaketë sateni.
Raporti i Georginës me botën e modës është bërë gjithnjë e më i fortë, pasi ajo është parë shpesh në javët e modës si e ftuar e shtëpive të njohura të modës si Gucci, Valentino dhe Coperni.








