Në stadiumin “Fadil Vokrri” u luaj mbrëmë ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës, e vlefshme për kualifikimin në “Euro 2024”, e cila përfundoi me rezultatin 2-2.

Përveç ndeshjes, vëmendje të madhe kanë marrë edhe tifozët Dardanë, të cilët kishin përgatitur një koreografi për të nderuar lojtarët e Kosovës, policët, ushtarët dhe mjekët.

Ndërkohë në krye të banerit ishte vendosur ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, me shallin me flamurin e Kosovës, nga sekuencat e klipit të famshëm “Shine Ya Light”.

Kjo i ka rënë në sy edhe vet këngëtares, e cila i rishpërndau pamjet për 16 milionë ndjekësit e saj në “Instagram”. Ajo ndau një fotografi të një faqeje fansash të Përfaqësueses së Kosovës, ku shkruhej: “Prezenca e saj na solli neve fat”.

Ndërsa më pas, këngëtarja rishpërndau videon e Presidentes Vjosa Osmani, ku shkroi në mbishkrimin e saj: “Të dua Kosovë, vendi im i preferuar në të gjithë botën”.