Gjatë finales së botërorit të snookerit në Crucible Theatre ka ndodhur një incident i pazakontë. Një grua ndërpreu ndeshjen mes Shaun Murphy dhe Wu Yize me një protestë të papritur.
Mediat e huaja shkruajnë se ngjarja ndodhi gjatë frame-it të tretë, në momentin kur Wu kryesonte 67-31. Gruaja u hodh papritur nga rreshti i parë i tribunës dhe kaloi barrierën, duke nisur të bërtasë slogane kundër pagesës së licencës televizive.
Gruaja në fjalë tentoi që t’i afrohej tavolinës së lojës, por u ndal menjëherë nga arbitri Rob Spencer, i cili ndërhyri shpejt për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Më pas, tre punonjës sigurie e larguan me forcë nga arena, ndërsa publiku reagoi me duartrokitje.
Më vonë, gruaja u identifikua si Sasha Swan, një modele e platformës për të rritur, “OnlyFans”. Ajo publikoi një video në rrjetet sociale ku mori përgjegjësinë për veprimin dhe përdori gjuhë të ashpër kundër BBC-së dhe eventit.
Ky incident rikujton protestën e vitit 2023 gjatë World Snooker Championship, kur aktivistë të Just Stop Oil hodhën pluhur portokalli mbi një nga tavolinat e lojës. Gjithashtu, vetëm një ditë më parë, një tjetër spektator kishte ndërhyrë duke bërtitur slogane gjatë gjysmëfinales mes Wu dhe Mark Allen.
Pavarësisht ndërprerjes së shkurtër, ndeshja vijoi normalisht, ndërsa finalja e këtij edicioni jubile shënoi interes të madh nga publiku, me shifra të larta shikueshmërie.







