Dy personazhet e famshëm, Dua Lipa dhe Callum Turner, kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me martesë në një ceremoni civile të zhvilluar në Londër.

Mediat e huaja shkruajnë se, çifti zgjodhi një organizim intim, larg vëmendjes së tepruar mediatike, por ceremonia nuk kaloi pa u komentuar gjerësisht.

Përveç lajmit të martesës, ajo që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe ekspertëve të modës ishte paraqitja e këngëtares së famshme me origjinë shqiptare. Në vend të fustanit tradicional të nusërisë, Dua zgjodhi një krijim elegant të shtëpisë së modës Schiaparelli, të dizajnuar nga Daniel Roseberry.

Artistja u shfaq me një kostum në ngjyrë fildishi, të përbërë nga një xhaketë e qepur në bel dhe një fund asimetrik, duke krijuar një pamje moderne dhe të rafinuar. Look-u u kompletua me doreza të bardha, këpucë Christian Louboutin, bizhuteri Bulgari dhe një kapelë me strehë të gjerë, që i dha paraqitjes një prekje të veçantë elegance.

Sipas mediave të modës, zgjedhja e Dua Lipës duket se është frymëzuar nga Bianca Jagger, e cila në vitin 1971 u martua me Mick Jagger e veshur me një kostum të bardhë Yves Saint Laurent. Ajo paraqitje konsiderohet ende sot si një nga momentet më ikonike në historinë e modës së nusërisë dhe ka shërbyer si frymëzim për shumë personazhe të njohur ndër vite.