Shtëpia e futbollistit të famshëm francez, Benjamin Pavard, në Marsejë, është vënë në shënjestër të një tentative grabitjeje. Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së mërkurës.
Mediat franceze shkruajnë se, pesë persona dyshohet se kanë hyrë në zonën e jashtme të pronës së mbrojtësit të Olympique de Marseille.
Ata janë vënë re në kohë nga bashkëshortja e Pavard, modelja shqiptare Kleofina Pnishi, e cila ka njoftuar menjëherë autoritetet përkatëse.
Pas alarmit, autorët janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Mercedes”, por policia franceze ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arritur ta lokalizojë makinën vetëm pak minuta më vonë.
Brenda automjetit ndodheshin pesë persona, të cilët janë ndaluar dhe shoqëruar në komisariat për marrje në pyetje lidhur me ngjarjen.
Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të parë nëse të dyshuarit janë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme në zonë.
Kujtojmë se Pavard është i martuar me modelen nga Gjakova, Kleofina Pnishi, e rritur në Francë. Çifti ka kurorëzuar lidhjen e tyre në martesë verën e vitit të kaluar në një ceremoni që mori vëmendjen e mediave ndërkombëtare.



