Një ekip ndërkombëtar studiuesish, i drejtuar nga shkencëtari italian Luca Bindi nga Universiteti i Firences ka zbuluar një material të ri që mendohet se u formua gjatë shpërthimit të parë bërthamor në histori. Studimi, i publikuar në revistën shkencore PNAS, fokusohet te “trinititi”, një lloj xhami i gjelbër që u krijua në shkretëtirën e Nju Meksikos pas testit bërthamor “Trinity” në vitin 1945.

Gjatë analizave, studiuesit zbuluan brenda fragmenteve të xhamit mikropika metalike që përmbanin një strukturë kristalore të panjohur më parë. Materiali i ri përbëhet nga kalciumi, bakri dhe silikoni dhe klasifikohet si “klatrat”, një material me strukturë të veçantë në formë kafazi mikroskopik. Sipas ekspertëve, ky material u krijua për shkak të temperaturave dhe presioneve ekstreme të prodhuara nga shpërthimi atomik.

Shkencëtarët thonë se klatratet konsiderohen shumë të rëndësishme për teknologjitë e së ardhmes, pasi kanë aftësinë të “bllokojnë” atome dhe molekula brenda strukturës së tyre, duke ndryshuar vetitë fizike të materialit. “Studimi i këtyre strukturave na ndihmon të kuptojmë se si organizohen atomet në kushte ekstreme dhe hap mundësi të reja për krijimin e materialeve të avancuara,” deklaroi Luca Bindi.

Testi “Trinity”, i zhvilluar më 16 korrik 1945 në kuadër të Projektit Manhattan, ishte shpërthimi i parë bërthamor në histori dhe u realizua në shkretëtirën Jornada del Muerto në Nju Meksiko. Emri “Trinity” u zgjodh nga fizikani J. Robert Oppenheimer, i konsideruar si “babai i bombës atomike”.