Një tjetër polemikë ka përfshirë Federatën Argjentinase të Futbollit (AFA). Sipas raportimit të “Record Mexico”, një ndeshje miqësore mes Meksikës dhe Argjentinës, e planifikuar përpara Kupës së Botës 2026, u anulua pas kërkesave të argjentinasve që ngritën dyshime te drejtuesit meksikanë.
Sipas burimit, Argjentina kishte kërkuar 6 milionë dollarë për të zhvilluar miqësoren. Megjithatë, marrëveshja dështoi kur zyrtarë të AFA-s kërkuan që pagesa të ndahej në tre llogari të ndryshme bankare. Kjo kërkesë u konsiderua e dyshimtë nga Federata Meksikane e Futbollit (FMF), e cila vendosi të tërhiqej nga negociatat për të mos u përfshirë në një operacion që e cilësoi si të dyshimtë.
Raporti i “Record Mexico” shton se kjo çështje është vetëm episodi më i fundit që shton polemikat rreth AFA-s, e cila muajt e fundit është përballur edhe me akuza dhe hetime mbi mënyrën e administrimit të saj. Megjithatë, deri tani AFA nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre pretendimeve dhe raportimi mbetet i bazuar në burime të medias meksikane.



