Një ngjarje tronditëse është regjistruar në shtetin amerikan të Arizonës, ku një 31-vjeçar akuzohet se ka hyrë me forcë në morgun e zyrës së ekspertizës mjeko-ligjore në Phoenix dhe ka kryer akte të rënda ndaj disa trupave të pajetë. Sipas mediave amerikane, Fenris Lu dyshohet se përdori një levë metalike për të hyrë në ambientet e Maricopa County Office of the Medical Examiner gjatë orëve të para të mëngjesit.
Policia ndërhyri pas një telefonate emergjente për një vjedhje të mundshme në zonë, ndërsa efektivët dhe shërbimet e sigurisë gjetën të dyshuarin brenda ndërtesës dhe e arrestuan në vendngjarje. Hetuesit deklarojnë se kamerat e sigurisë e kanë filmuar 31-vjeçarin duke hapur disa qese mortore dhe duke kryer akte të papërshtatshme me katër trupa të pajetë.
Për shkak të hetimeve, autoritetet pezulluan përkohësisht autopsitë, testimet mjeko-ligjore dhe procedurat e dhurimit të organeve, ndërsa familjarët e viktimave po njoftohen nga institucionet përkatëse. Fenris Lu përballet me disa akuza të rënda, përfshirë hyrje me forcë, dëmtim prone dhe akte të ndaluara ndaj trupave të pajetë. Gjykata caktoi ndaj tij një garanci prej 500 mijë dollarësh.



