Rikthehet në vëmendje një nga historitë më të pabesueshme, ajo e Yitzhak Elal, një djalë hebre 11-vjeçar që mbijetoi i vetëm për tre ditë në një pyll të ngrirë norvegjez pas rrëzimit fatal të një avioni në vitin 1949. Avioni transportonte fëmijë hebrenj nga Tunizia drejt Norvegjisë, në kuadër të një programi rehabilitimi dhe përgatitjeje për emigrimin në Izrael pas Luftës së Pavarësisë. Por gjatë afrimit drejt Oslos, avioni u përplas në një zonë malore mes mjegullës së dendur.
Nga aksidenti humbën jetën 34 persona, mes tyre 27 fëmijë. Mes viktimave ishin edhe motra dhe dy vëllezërit e vegjël të Yitzhakut. Mrekullisht, pjesa e pasme e avionit ku ndodhej djali u shkëput nga trupi kryesor dhe flakët nuk arritën ta përfshinin. Ai qëndroi i lidhur në sedilje dhe mbijetoi falë nxehtësisë së zjarrit që vazhdoi të digjej në rrënoja, ndërsa ushqehej me mollë që kishte marrë me vete nga nëna.
Pas tre ditësh e tre netësh në dëborë, dy pylltarë norvegjezë dëgjuan britmat e tij dhe e nxorën të gjallë nga rrënojat. Vetëm atëherë ai mësoi se ishte i vetmi i mbijetuar. Historia preku gjithë Norvegjinë dhe madje edhe mbretin e vendit, i cili i ofroi birësim. Por Yitzhak refuzoi me mirësjellje, duke i shkruar se dëshironte të shkonte në Izrael dhe një ditë të rikthehej si pilot me avionin e tij. Në vitin 1950 ai emigroi në Izrael me familjen dhe ndërtoi jetën e tij atje, duke krijuar familje dhe punuar për vite me radhë. Yitzhak El-Al ndërroi jetë në vitin 1987 në moshën 48-vjeçare.



