Një drejtoreshë shkolle në shtetin amerikan të Arkansas-it është dënuar me 30 ditë burg, 120 ditë arrest shtëpie me monitorim elektronik dhe nëntë vite provë, pasi prokurorët e akuzuan si organizatoren kryesore të një “klubi sherri” mes fëmijëve.

Mary Tracy Morrison, 51 vjeçe, pronare dhe drejtoreshë e institucionit “The Delta Institute for the Developing Brain” dhe programit “Engage” në Jonesboro, pranoi fajësinë për një akuzë që lidhet me lejimin e abuzimit ndaj fëmijëve dhe katër akuza për nxitje të sjelljes delikuente tek të miturit.

Gjykata vendosi gjithashtu që Morrison të mos lejohet më të punojë me fëmijë në asnjë rol profesional. Ajo duhet të dorëzojë licencën e saj si terapiste profesionale dhe çdo licencë tjetër të lidhur me profesionin, si edhe të kryejë një vlerësim të shëndetit mendor dhe të ndjekë trajtimet e rekomanduara.

Rasti doli në dritë në prill të vitit 2025, pasi një nënë raportoi në Zyrën e Sherifit të Qarkut Craighead se djali i saj adoleshent ishte abuzuar fizikisht dhe psikologjikisht gjatë kohës që ndiqte shkollën.

Sipas dokumenteve të hetimit, pamjet video të siguruara nga autoritetet tregojnë se Morrison kishte urdhëruar një nxënës të ulej në dysheme, ndërsa rreth tij qëndronin 18 nxënës të tjerë së bashku me vetë drejtoreshën. Në dosjen hetimore thuhet se Morrison i kishte udhëzuar nxënësit të vendosnin duart mbi fëmijën në qendër dhe ta godisnin me një objekt të paidentifikuar.