Aktorja e njohur turke Biran Damla Yılmaz ka thyer heshtjen pas akuzave të bëra nga ish-i fejuari i saj, Abdurrahman Aydın. Ky i fundit pretendoi se aktorja kishte kryer ndërhyrje estetike në Gjermani dhe se ishte në kërkim nga Interpol për shkak të borxheve të papaguara. Në një intervistë për gazetaren turke Birsen Altuntaş, Yılmaz i hodhi poshtë kategorikisht të gjitha akuzat, duke zbuluar për herë të parë detaje të dhimbshme nga gjendja e saj shëndetësore.
Aktorja tregoi se udhëtimi në Gjermani nuk kishte lidhje me kirurgjinë estetike, por me trajtimin e një sëmundjeje nga e cila vuan që në moshën 13-vjeçare, insuficiencën e gjëndrave mbiveshkore. Sipas saj, gjatë qëndrimit në Gjermani ishte për një kohë të gjatë në spital dhe pati ditë kur nuk mund të ecte. “Operacioni që bëra nuk ishte estetik. Ishte një ndërhyrje në mitër, që një ditë të kem mundësinë të bëhem nënë”, u shpreh ajo.
Yılmaz mohoi gjithashtu pretendimet se kërkohet nga Interpol. “Nëse do ta mësoja nga një emision i mëngjesit se jam në kërkim me njoftim të kuq, atëherë diçka nuk shkon. Të gjitha dokumentet janë kontrolluar dhe nuk ka asnjë arsye që unë të jem në kërkim”, deklaroi aktorja. Duke folur për ndarjen nga ish-i fejuari, Yılmaz tha se vendimin e kishte marrë me respekt dhe ia kishte shpjeguar edhe familjes së tij. Megjithatë, sipas saj, situata ndryshoi pasi në media qarkulluan lajme dhe thashetheme për jetën e saj private.
Aktorja pretendon se ish-partneri filloi ta kërcënonte psikologjikisht, duke i kërkuar të deklaronte publikisht se marrëdhënia e tyre vazhdonte ende. Kur ajo refuzoi, ai, sipas saj, kërcënoi se do të shkonte në xhirimet e serialit në Şanlıurfa të cilin po xhiron aktualisht, do të shkaktonte incidente dhe më pas kërkoi para, duke pretenduar se ajo i kishte shkaktuar dëme financiare. “Kam marrë masa sigurie dhe një urdhër mbrojtjeje. Ai më kërcënoi se do të shkatërronte jetën time, do t’i dërgonte dokumente mediave dhe do të më merrte gjithçka që kam ndërtuar me punën time”, tha Yılmaz.
Në fund të deklaratës së saj, aktorja foli edhe për dhunën psikologjike ndaj grave, duke theksuar se përvoja e saj e ka bërë të ndiejë frikën dhe pafuqinë që përjetojnë shumë gra. “Pse suksesi i një gruaje shqetëson kaq shumë? A është burrëri të kërcënosh një grua dhe të publikosh dokumentet e saj private? Kjo situatë e shëmtuar është rezultat i të dashuruarit dhe besimit te një burrë. Kjo nuk është burrëri. Burrat që ushtrojnë këtë lloj dhune duhet të turpërohen. Kjo nuk duhet të jetë pasoja e të dashuruarit dhe besimit te një burrë”, përfundoi aktorja.



