Një ish-mbretëreshë bukurie është gjetur e pajetë në një apartament në Mexico City, në një ngjarje që ka tronditur opinionin publik dhe ka ngritur dyshime të forta për një krim brenda familjes. Carolina Flores Gómez, 27 vjeçe, fituese e konkursit Miss Teen Universe Baja California në vitin 2017, u gjet e vrarë më 15 prill në një apartament në zonën elitare Polanco. Sipas raportimeve, ajo ishte qëlluar në kokë, duke humbur jetën në vend.
Autoritetet meksikane kanë nisur menjëherë hetimet dhe pista kryesore lidhet me një konflikt të mundshëm familjar. Sipas burimeve mediatike dhe prokurorisë, dyshimet janë përfshirë edhe ndaj vjehrrës së viktimës, pasi bashkëshorti i saj dyshohet se ka akuzuar nënën e tij për ngjarjen.
Në momentin e krimit, në banesë ndodheshin si bashkëshorti i viktimës ashtu edhe nëna e tij, çka ka shtuar më tej dyshimet dhe kompleksitetin e çështjes. Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person dhe hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.



