Çështja e ngritur nga ish-punonjësi i JPMorgan, Tsiragiou Rana kundër eprores së tij, Lorna Hajdini ka marrë një kthesë të papritur. Rana ka vendosur të tërheqë padinë që kishte depozituar në një gjykatë të shtetit të New York-ut, ku e akuzonte Hajdinin se e detyronte të kryente akte seksuale poshtëruese, duke sinjalizuar një fazë të re të proceseve gjyqësore. Sipas dokumenteve të fundit gjyqësore, ai po planifikon të paraqesë një padi të re në një Gjykatë Federale.

Në këtë version të zgjeruar, ai do të përfshijë akuza të reja që nuk ishin përfshirë më parë, mes të cilave diskriminimin racor, hakmarrje dhe shkelje e të drejtave për leje familjare dhe mjekësore. Avokati i tij i ri, John L. Norinsberg deklaroi se “opinioni publik është keqinformuar, duke u mbështetur në tituj sensacionalë që nuk pasqyrojnë realitetin e situatës”. Ai theksoi se ekipi ligjor, i përbërë nga pesë avokatë, ka siguruar prova të reja të rëndësishme, pa dhënë detaje konkrete për to.

Nga ana tjetër, avokatja Benita L. Joseph e cilësoi kundërpadinë e Hajdinit si një përpjekje për hakmarrje ndaj klientit të saj, duke nënvizuar se Rana kishte denoncuar raste racizmi dhe trajtim të padrejtë në vendin e punës. Avokatët e Ranës gjithashtu argumentojnë se disa nga deklaratat e tij përbëjnë opinione personale dhe mbrohen nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane.

JPMorgan ka mohuar kategorikisht çdo akuzë, ndërsa nuk ka pasur reagim të menjëhershëm nga përfaqësuesit e Hajdinit. Ndryshe nga padia fillestare, versioni i ri pritet të dorëzohet me emrin e plotë të Ranës, pasi gjykata e Manhatanit rrëzoi kërkesën për të vepruar si “John Doe”. Dokumentet tregojnë se kalimi në gjykatë federale synon të shmangë procese të dyfishta dhe të kursejë kohë dhe burime për të gjitha palët.