Një burrë që shkoi në një argjendari dhe u shtir si klient gëlltiti një unazë me vlerë 35 mijë paund. Sipas drejtuesve të dyqanit, ai po përpiqej që t’a vidhte.
Mediat e huaja shkruajnë se, punonjësit u përballën me të dhe si pasojë burri futi gishtat në fyt dhe e nxori unazën që kishte gëlltitur.
Unaza e fejesës përmbante një diamant të madh të prerjes “princess”, si dhe disa diamante të tjerë më të vegjël të vendosur përgjatë shiritit prej platini.
Kur punonjësit kuptuan se unaza mungonte, ai reagoi me zemërim dhe mohoi çdo përfshirje dhe u kërkoi atyre t’i kontrollonin xhepat. Më pas, drejtuesit e argjendarisë kontrolluan pamjet e kamerave të sigurisë dhe zbuluan se çfarë kishte ndodhur.
Në pamje shihet burri me flokë gri duke e futur unazën në gojë, përpara se dyshohet se e kishte gëlltitur dhe tentoi të largohej. Junaid Hassan, 28 vjeç, i cili drejton biznesin familjar, tha: “Ishte diçka e çmendur. Ende nuk mund t’a besoj që ndodhi.”
“Unë nuk mund të marr as paracetamol pa ujë, ndaj nuk e di se si ia doli ai. Mund t’i kishte gërvishtur organet e brendshme. Ai fliste normalisht, nuk mund t’a kuptoje që unaza ishte brenda tij. I kërkuam të na e kthente dhe ai futi gishtat në fyt, pastaj e nxori duke e vjellë”, tha 28-vjeçari.
Hajduti i dyshuar kaloi rreth dy orë duke parë unaza në dyqan, në zonën e argjendarive Hatton Garden në qendër të Londrës, përpara se të tentonte të largohej, duke thënë se do të kthehej të nesërmen pasi të merrte një vendim.
Por babai i Junaid-it, Syed, i cili po i shërbente klientit, vuri re se unaza mungonte.
“Unë i kërkova me qetësi që t’a kthente, por ai filloi të bërtiste dhe të bëhej agresiv”, tha 58-vjeçari Syed.





