Ylli i muzikës country, Shania Twain, ka ndarë një nga dëshmitë më të dhimbshme të jetës së saj, duke folur hapur për dhunën që përjetoi gjatë fëmijërisë dhe traumën që, sipas saj, e shoqëroi për shumë vite.
Në një intervistë për podkastin “Wild Card me Rachel Martin”, ajo tregoi se u rrit në Ontario të Kanadasë, në një familje ku konfliktet dhe dhuna ishin pjesë e përditshmërisë.
Twain kujtoi se së bashku me motrat e saj, Jill dhe Carrie Ann, ishin shpesh dëshmitare e përplasjeve të ashpra mes nënës Sharon dhe njerkut, Jerry Twain.
“Ata e donin njëri-tjetrin, por marrëdhënia e tyre ishte e mbushur me ulje-ngritje. Grindjet ishin të shpeshta dhe dhuna ishte gjithmonë e pranishme”, u shpreh këngëtarja e famshme.
E pyetur nëse dhuna ushtrohej edhe ndaj fëmijëve, Twain dha një përgjigje të drejtpërdrejtë:
“Po, edhe ndaj meje. Të dy prindërit ishin të ashpër. Na rrihnin shpesh dhe ndonjëherë na godisnin edhe me shqelma”.
Këngëtarja, emri i vërtetë i së cilës është Eilleen Edwards, tha se megjithatë dhuna më e rëndë ndodhte mes dy prindërve:
“Ishte e tmerrshme. Nëna ime shpesh mbetej me mavijosje në fytyrë dhe i binin tufë flokësh. Kishte momente kur shtëpia dridhej nga zhurma e grindjeve. Ishte vërtet e frikshme”.
Twain pranoi se përjetimet e asaj kohe lanë pasoja të thella emocionale:
“Ishte një fëmijëri traumatike. Gjithçka dukej si një stuhi e pafundme, plot zhurmë dhe frikë”.
Artistja tregoi gjithashtu se nëna e saj kishte tentuar disa herë të largohej nga bashkëshorti, por përfundonte duke u rikthyer.
“Ne largoheshim me të, por ai na gjente gjithmonë ose ajo dorëzohej dhe kthehej. Ishte një rreth vicioz nga i cili dukej e pamundur të dilje”, u shpreh këngëtarja.
Në vitin 1987, kur Shania ishte vetëm 22 vjeçe dhe karriera e saj muzikore sapo kishte nisur, nëna dhe njerku humbën jetën në një aksident automobilistik.
Artistja ka folur edhe më parë për këtë periudhë në autobiografinë e saj “From This Moment”, botuar në vitin 2011, ku rrëfen se njerku e kishte abuzuar fizikisht dhe emocionalisht për vite me radhë, ndërsa ajo kishte qenë dëshmitare e vazhdueshme e dhunës ndaj nënës së saj.
Ajo kujtoi edhe një incident kur u përpoq ta mbronte të ëmën duke goditur njerkun me një karrige, por ai reagoi duke e goditur në nofull.
Në intervista të mëhershme, Twain ka deklaruar gjithashtu se ishte viktimë e abuzimit seksual që në moshën 10-vjeçare.
Duke reflektuar mbi atë periudhë, ajo është shprehur se dhuna fizike, psikologjike dhe seksuale ishin të ndërthurura dhe se për shumë vite u përpoq t’i shtypte ato kujtime për të vazhduar jetën.
Sot, këngëtarja thotë se ka gjetur qetësi dhe se beson se komunikimi i hapur ka qenë një nga shtyllat kryesore të martesës së saj me Frederic Thiebaud.



