Bill Gates ka pranuar se takimet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein ishin një gabim, gjatë një seance me dyer të mbyllura para Komitetit të Mbikëqyrjes së Kongresit amerikan. Themeluesi i Microsoft deklaroi se nuk duhej të ishte takuar kurrë me Epstein, i cili u dënua për krime seksuale dhe vdiq në burg në vitin 2019.

“Nuk duhej të isha takuar me Epstein që në fillim”, mësohet të ketë deklaruar Gates para ligjvënësve amerikanë. Ai theksoi se gjatë kontakteve me Epstein nuk kishte parë apo marrë asnjë indicie për aktivitete kriminale në vazhdim dhe mohoi kategorikisht çdo përfshirje personale në veprime të paligjshme.

Sipas Gates, takimet kishin lidhje me pretendimet e Epstein se mund të siguronte donatorë të pasur për projektet globale të shëndetit të Fondacionit Gates. Megjithatë, fondacioni ka bërë të ditur se asnjë bashkëpunim konkret nuk u realizua dhe asnjë fond nuk u krijua përmes Epstein. Seanca u zhvillua në kuadër të hetimeve të vazhdueshme mbi dosjen Epstein, pas publikimit të miliona dokumenteve nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Në mesin e dokumenteve të publikuara ndodheshin edhe fotografi dhe komunikime ku përmendej emri i Gates. Gjithashtu janë bërë publike disa pretendime të pakonfirmuara të përfshira në dokumente, të cilat përfaqësuesit e miliarderit i kanë cilësuar si absurde dhe plotësisht të rreme. Përfaqësuesit e Gates kanë deklaruar se dokumentet tregojnë kryesisht përpjekjet e Epstein për të ruajtur lidhje me figura të njohura dhe jo prova për sjellje të papërshtatshme nga ana e bashkëthemeluesit të Microsoft. Lidhja e Gates me Epstein ka qenë një nga temat më të debatuara vitet e fundit dhe ka sjellë reagime edhe nga ish-bashkëshortja e tij, Melinda French Gates, e cila e ka cilësuar këtë periudhë si një nga momentet më të vështira të jetës së saj personale.