Portieri i famshëm i kombëtares së Italisë dhe PSG-së, Gianluigi Donnarumma, së bashku me parteneren e tij, Alessia Elefante, kanë kaluar së fundmi një natë të tmerrshme.
Ai dhe e fejuara e tij kanë rënë pre e një grabitje në shtëpinë në Paris, ku pasi i lidhën, hajdutët vodhën gjëra me vlerë 500 mijë euro.
Lidhur me këtë natë të frikshme ka reaguar për herë të parë Donnarumma, i cili e ka cilësuar si ‘ndjenjën më të keqe’.
“Të gjesh njerëz në shtëpi papritmas në tre të mëngjesit, mendoj se është ndjenja më e keqe që mund të përjetosh. Unë u imobilizova dhe Alessia u detyrua të dorëzonte gjithçka që kishim me vlerë. Nuk mund të jap më shumë detaje, hetimet janë në vazhdim dhe tani po shkoj në policinë franceze për të rindërtuar gjithçka që ndodhi me ta”, ka thënë portieri për “Libero”.
Donnarumma ka shtuar se për momentin ai dhe partnerja e tij po qëndrojnë në hotel, duke qenë se po kryhet ekspertiza e nevojshme hetimore.
“Alessia kishte shumë frikë, u tmerrova se diçka mund t’i ndodhte. Isha i pafuqishëm, i lidhur, nuk mund të bëja asgjë. Pastaj nuk flas aq mirë frëngjisht dhe ishte e vështirë t’u shpjegoja atyre njerëzve se ku ishin të gjitha gjërat. Ishte situatë terrori, veçanërisht e tmerrshme për të. Një tronditje shumë e thellë për të. Një gabim mund ta lëndonte atë. Do të jetë e vështirë të harrohet”, ka rrëfyer portieri i famshëm.