Një nga viktimat e Jeffrey Epstein ka shpërthyer në lot gjatë dëshmisë së saj para një komiteti hetimor në Palm Beach, teksa rrëfeu abuzimet që pretendon se ka përjetuar nga financieri i ndjerë amerikan. Gruaja, e identifikuar vetëm si Roza, deklaroi se ishte vetëm 18 vjeçe kur u soll në Shtetet e Bashkuara nga agjenti francez i modelimit Jean-Luc Brunel në vitin 2008. Sipas saj, më pas u dërgua në rezidencën e Epstein në Palm Beach në kohën kur ai ndodhej në arrest shtëpie për përfshirje në prostitucion me të mitura.

Gjatë dëshmisë, Roza tregoi se Epstein fliste vazhdimisht për lidhjet e tij me figura të fuqishme politike dhe për ndikimin që kishte tek autoritetet. Ajo pretendoi se ai mburrej edhe për vajzat që e vizitonin gjatë kohës në paraburgim. Viktima deklaroi gjithashtu se Epstein i kishte ofruar një punë në fondacionin e tij shkencor për të shlyer një borxh prej 10 mijë dollarësh ndaj agjencisë së modelimit. Më pas, sipas saj, nisi seria e abuzimeve seksuale.

Roza kritikoi ashpër mënyrën se si u publikuan dosjet Epstein, duke thënë se emri i saj u ekspozua publikisht ndërsa shumë persona të fuqishëm vazhdojnë të mbeten të mbrojtur. Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin federal për trafikim seksual. Vdekja e tij u cilësua vetëvrasje.