Gazetari i njohur, Drini Zeqo, ka qenë i ftuar në emisionin “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ku ka bërë një bisedë pa filtra mbi dashurinë, karrierën dhe jo vetëm…
Pjesë nga intervista:
Çfarë qasje ke ti për dashurinë? Je te personat që mendon se të bën të vuash, je tek personat që dashuron njëherë në jetë dhe aq, apo je një person që nuk beson fare tek dashuria?
Unë besoj shumë te dashuria. Kam besuar gjithmonë dhe besoj ende. Jam një dashnor 24 karatsh, dashuroj shumë fort dhe gjithmonë kam dashuruar dhe do vazhdoj të dashuroj. Mund të jem zhgënjyer nga dashuria, patjetër, çdo njeri është zhgënjyer, kemi dashur ndonjëherë njerëz që nuk na kanë dashur me të njëjtin intensitet që ne duam. Ky është një defekt i imi, e quaj defekt së jashtmi, por së brendshmi e quaj diçka të bukur. Nuk do reshtja kurrë së dashuri dikë që nuk do ma kthente në të njëjtin intensitet dashurinë. Mendoj që si koncept, është gjëja më e bukur në botë. Nuk ka gjë më të bukur se sa të biesh në dashuri. Sigurisht që mund të të bëjë të lajthisësh, të humbasësh pak veten, të lësh shumë nga energjitë që duhet t’i kanalizosh në vendet e tjera, i çon atje. Por në thelb është ndjesia më e bukur. Kështu që jam tërësisht pro kësaj ndjenje që mendoj se duhet kultivuar gjithnjë e më shumë dhe nuk duhet shtypur, nuk duhet ulur.



