Matthew McConaughey ka rrëfyer një episod të pazakontë nga e kaluara, kur një film me Jennifer Lopez e ndihmoi të dilte nga një situatë e vështirë në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës.

Gjatë një interviste në podcastin “Happy Sad Confused”, aktori 56-vjeçar tregoi se ishte ndaluar gjatë kalimit të kufirit meksikan.

Për të bindur personat që e ndaluan se ishte një aktor i njohur, McConaughey u përmendi filmin “The Wedding Planner”, ku kishte luajtur përkrah Jennifer Lopez, shkruan DailyMail.

Sipas rrëfimit të tij, aktori u tha se e njihte Lopezin dhe i pyeti nëse e kishin parë filmin. Pas kësaj, situata ndryshoi krejtësisht.

Personat që e kishin ndaluar nisën t’i kërkonin fotografi dhe më pas e lejuan të vazhdonte rrugën.

McConaughey dhe Lopez luajtën së bashku në komedinë romantike të vitit 2001, ku personazhet e tyre përfshihen në një histori dashurie pavarësisht rrethanave.

Aktori ka folur edhe më herët me vlerësim për Lopez, duke e përshkruar si një profesioniste shumë të përgatitur.