Një tragjedi familjare, ku viktima janë dy prindër dhe tre fëmijë, ka tronditur Meksikën. Influencerja 34-vjeçare Cindy Tamez, partneri i saj dhe tre fëmijët e tyre u gjetën të vdekur me plagë armësh, ndërsa autoritetet po hetojnë mundësinë që 34-vjeçarja të ketë vrarë familjen e saj dhe më pas t’i ketë dhënë fund jetës. Cynthia Abigail Tamez Rivera u gjet e vdekur së bashku me djalin e saj 2-vjeçar, Gustavo, brenda makinës së saj në Montemorelos të Meksikës, ndërsa pranë tyre u gjet një pistoletë, sipas Daily Mail. Partneri i saj, Leontegario Moya, dhe dy fëmijët e tjerë, 12-vjeçari Christian dhe 11-vjeçari Bruno, u gjetën të vdekur me plagë armësh në shtëpinë e tyre, në një distancë të shkurtër nga vendi ku u gjetën nënë e bir.
People raportoi se prokurorët besojnë se Tamez vrau fëmijët dhe partnerin e saj përpara se të kryente vetëvrasje, megjithatë hetimi është ende në vazhdim. Postimi i fundit i Tamez u publikua në TikTok më 30 shtator, në ditën e vdekjes së saj, dhe përmbante një mesazh rrëqethës. “Jo të gjithë e njohin anën time të keqe. Jam e aftë t’i vë zjarrin shtëpisë sime vetëm për të parë atë të fqinjit duke u djegur, edhe nëse e di se do të dëmtohem edhe unë”, shkroi ajo në një tekst që shfaqej mbi një video të shkurtër të filmuar nga brenda një makine, nga sedilja e pasagjerit.
Cindy Tamez, 34 vjeçe, kishte mbi 74 mijë ndjekës në TikTok, ku shpesh publikonte video rreth modës dhe prezantonte veshjet e saj. Rasti i Tamez vjen vetëm pak javë pas vrasjes së influencerit meksikan César Gastélum, i cili u qëllua me armë zjarri gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Gastélum kishte mbledhur më shumë se 614 mijë ndjekës në TikTok falë videove të tij humoristike dhe skeçeve.
Në gusht, ai po bënte një transmetim live jashtë një restoranti fast food në Culiacán, së bashku me disa miq, kur dy persona me motor iu afruan grupit, sipas Reuters. Pasi shqyrtoi pamjet e transmetimit të drejtpërdrejtë, Reuters raportoi se drejtuesi i motorit “dukej se qëlloi me armë drejtpërdrejt në drejtim të Gastélum”. Një zyrtar i sigurisë në shtetin Sinaloa konfirmoi se Gastélum ndërroi jetë. Hetimi është ende në vazhdim dhe motivi i sulmit mbetet i paqartë. Dhuna është rritur në Sinaloa gjatë viteve të fundit për shkak të rivalitetit të vazhdueshëm mes dy fraksioneve të kartelit të Sinaloas.



