“E di që falja nuk mund të kërkohet me detyrim. E kuptoj peshën e veprimeve të mia dhe kujtimi i Pamelës do të mbetet i pashlyeshëm në zemrat tona”. Këto janë disa nga deklaratat e bëra në sallën e gjyqit në Milano nga Gianluca Soncin, 52-vjeçari që ndodhet në burg për vrasjen e ish-partneres së tij, Pamela Genini. I pandehuri, duke i kërkuar falje familjes së gruas së re, të cilën e goditi me thikë 76 herë, shtoi: “Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të përballem deri në fund me pasojat e dhimbjes që kam shkaktuar, duke marrë përgjegjësinë e plotë”.

Soncin, i ulur në bankën e të pandehurve pranë avokatëve të tij, kërkoi të bënte deklarata spontane. Me zë të ulët dhe monoton, duke lexuar disa rreshta të shkruar me dorë në një fletë, ai foli për herë të parë dhe bëri një lloj “rrëfimi”: “Në këtë moment dhimbjeje të madhe dhe trishtimi të thellë, i kërkoj falje familjes së Pamelës. Që nga ajo ditë, jeta jonë ka ndryshuar thellësisht. E di që falja nuk mund të kërkohet me detyrim. E kuptoj peshën e veprimeve të mia dhe kuj­timi i Pamelës do të mbetet i pashlyeshëm në zemrat tona. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse të përballem deri në fund me pasojat e dhimbjes që kam shkaktuar, duke marrë përgjegjësinë e plotë”.

Mbrëmjen e 14 tetorit 2025, pasi kishte siguruar një kopje të çelësave të banesës së të resë, burri hyri në apartamentin e saj në rrugën “Iglesias”, në Milano. Në momentin kur Pamela ishte duke folur në telefon me ish-partnerin, ai dyshohet se e goditi 76 herë me thikë, fillimisht në ballkonin e banesës dhe më pas brenda saj. Për të rëndon akuza për vrasje me rrethana rënduese të shumëfishta. Nëna e Pamelës: “Faljet e tij u refuzuan, fjalë prej plastike”. Faljet e kërkuara në sallën e gjyqit nga Gianluca Soncin, i pandehur në Milano për vrasjen e Pamela Geninit, janë “refuzuar dhe i janë kthyer dërguesit. Janë fjalë prej plastike, pa asnjë domethënie, që nuk ndryshojnë asgjë”.

Kështu u shpreh avokati Nicodemo Gentile, në emër të Una Smirnova, nënës së vajzës së re, e cila u vra rreth një vit më parë me 76 goditje me thikë, pasi kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me 52-vjeçarin. Avokati komentoi deklaratat e bëra nga Soncin në sallën e gjyqit. “Janë shumë të vonuara”, deklaroi ai gjatë një pushimi të seancës. “Ai duhej t’i pranonte ato falje që Pamela i kërkonte, në momentin kur ai e tërhiqte zvarrë për flokësh në ballkon dhe ajo i lutej të mos e vriste. Aty duhej të ndalonte”.