Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, i ka dhënë vetëm pak ditë më parë fund beqarisë. Ajo është martuar me aktorin e njohur, Callum Turner. Çifti kurorëzoi dashurinë në një ceremoni private.

Artistja ka mahnitur me paraqitjen e saj në ditën e martesës, ku vëmendjen kryesore e mori fustani i saj i veçantë.

Ylli me famë botërore u shfaq me një krijim të shtëpisë prestigjioze të modës Chanel, i zbukuruar me mijëra pupla dhe kristale të punuara me kujdes. Për realizimin e veshjes u përdorën rreth 25 mijë pupla, ndërsa çdo element u përpunua me dorë nga artizanët e markës franceze.

Sipas raportimeve të mediave të modës, i gjithë fustani ishte punuar me dorë dhe përmbante plot 480 mijë rruaza të qepura nga Atelier Montex, ndërsa detajet dekorative kërkuan më shumë se 1.100 orë punë nga mjeshtrit e Lesage.

Pamja u kompletua me një vello elegante prej gjashtë metrash, e cila i shtoi edhe më shumë hijeshi dukjes së këngëtares.

Ndërkohë këpucët e bardha prej sateni ishin krijuar posaçërisht nga Massaro, një tjetër shtëpi prestigjioze që bashkëpunon me Chanel. Sipas shtëpisë franceze të modës, ky krijim erdhi si rezultat i marrëdhënies së ngushtë mes Dua Lipës dhe Chanel, duke vënë në pah mjeshtërinë dhe traditën e modës së lartë.

Gjatë festimeve të dasmës, këngëtarja kishte zgjedhur edhe veshje të tjera të personalizuara, përfshirë një kostum Schiaparelli për ceremoninë civile në Londër dhe një fustan Bottega Veneta për festën para dasmës në Siçili.