Më shumë se tetë dekada pas Holokaustit, Yad Vashem ka vendosur të nderojë Jacqueline Mintz, gruan e krishterë që shpëtoi dhe rriti si fëmijën e saj një foshnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ephraim Kochba, i cili mbush 83 vjeç javën e ardhshme, mësoi vetëm shumë vite më vonë historinë e plotë të mbijetesës së tij dhe faktin se prindërit e tij biologjikë ishin vrarë gjatë Holokaustit.
Kochba lindi në Holandë gjatë luftës, në familjen Van Coevorden. Ndërsa rreziku për hebrenjtë po rritej, nëna e tij ia besoi foshnjën mikeshës së saj të krishterë, Jacqueline, dhe partnerit të saj Max, me marrëveshjen që nëse prindërit nuk do të mbijetonin, çifti ta rriste fëmijën si të vetin. Në atë periudhë, Max mbahej në kampin e tranzitit Westerbork, ndaj Jacqueline mbeti e vetme me foshnjën. Pavarësisht rrezikut, ajo e mbrojti dhe i krijoi një ambient të sigurt gjatë viteve të luftës.
Jacqueline nuk kishte fëmijë dhe kjo ishte përvoja e saj e parë si nënë. Gjatë kohës që kujdesej për Kochba, ajo mbajti një ditar ku dokumentonte çdo fazë të rritjes së tij, nga buzëqeshja e parë deri te momentet më të vogla të jetës së përditshme. Ajo ruajti gjithashtu fotografi, një tufë flokësh dhe kujtime të shkruara për fëmijën që praktikisht ishte bërë djali i saj. Në fund të luftës, prindërit biologjikë të Kochba u vranë. Pas një beteje ligjore për kujdestarinë, ai iu dorëzua familjarëve të mbijetuar dhe në moshën 4-vjeçare emigroi në Izrael.
Vetëm shumë vite më vonë ai mësoi historinë e plotë të shpëtimit të tij. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, Kochba takoi në Holandë babanë e tij kujdestar dhe më vonë mori ditarin e shkruar nga Jacqueline, i cili u përkthye në hebraisht. Tani, Komisioni i Yad Vashem për përcaktimin e “Të Drejtëve mes Kombeve” ka vendosur t’i japë Jacqueline Mintz këtë titull. Emri i saj do të gdhendet në Murin e Nderit në Kopshtin e të Drejtëve mes Kombeve në Jerusalem.
“Jam jashtëzakonisht i prekur nga ky lajm. Në emër të gjithë familjes, falënderoj Yad Vashem që mbylli një rreth 83-vjeçar. Javën tjetër mbush 83 vjeç dhe kjo është dhurata më emocionuese që mund të merrja”, u shpreh Kochba. Që nga nisja e programit të Yad Vashem, më shumë se 28 700 persona johebrenj janë njohur si “Të Drejtë mes Kombeve” për rrezikimin e jetës së tyre në mbrojtje të hebrenjve gjatë Holokaustit.



